Thursday, January 21, 2016

Edhe së paku 1.000 mjek do të edukohen jashtë vendit


Të paktën 1.000 punonjës shëndetësorë sivjet do të dërgohen për edukim jashtë vendit. Edukimi i kuadrit mjekësor jashtë vendit është një masë fondamentale në drejtim të zhvillimit të sistemit shëndetësor, me çka mundësojmë shërbime shëndetësore më me qasje për qytetarët, cilësi më të mirë të shërbimeve shëndetësore si dhe përforcimin e mbrojtjes shëndetësore të të gjitha niveleve.
Këtë sot në konferencë shtypi e theksoi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, i cili tha se me Ligjin për studime mjekësore dhe edukim të vazhdueshëm mjekësor të mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor, edukimi i kuadrit mjekësor jashtë vendit është paraparë si obligim ligjor i përhershëm i institucioneve shëndetësore publike në nivelin sekondar dhe terciar të mbrojtjes shëndetësore.
“Në bazë të këtij obligimi dhe si operacionalizim i obligimit, Ministria e Shëndetësisë edhe për sivjet është duke përgatitur Program për edukimin e mjekëve dhe personelit mjekësor, si Program të Qeverisë. Në vitin 2015 Ministria e realizoi këtë obligim dhe jashtë vendit për edukim janë dërguar 1.000 punonjës shëndetësorë prej të cilëve 800 mjekë dhe 200 infermiere dhe personel tjetër mjekësor”, theksoi Todorov.
Duke filluar nga viti 2012, deri më tani, potencoi ministri, janë realizuar gjithsej 2.084 edukime të mjekëve, infermiereve dhe personelit tjetër mjekësor jashtë vendit. Sqaroi se një prej qëllimeve primare të këtyre edukimeve është rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, vendosja e metodave të reja, zvogëlimi i komplikimeve, organizimi më i mirë i punës si dhe bartja e njohurive dhe përvojës nga sistemet dhe spitalet më bashkëkohore në Republikën e Maqedonisë.
Sipas tij, me këtë mundësojnë shfrytëzim optimal të pajisjeve të reja, më bashkëkohore mjekësore të cilat sigurohen në vazhdimësi për institucionet publike shëndetësore në vend.
Një prej qëllimeve më kryesore të këtyre edukimeve është vendosja e metodave të reja dhe pikërisht në këtë drejtim Todrov theksoi se mbi 70 për qind e mjekëve të dërguar në edukime jashtë vendit (nga gjithsej 1.269 mjekë të dërguar deri më tani në edukim), zbatojnë metoda të reja në institucionet e tyre amë, gjegjësisht metoda të cilat janë të reja për mjekun i cili është dërguar në edukim ose janë të reja për institucionin në të cilin është punësuar mjeku.
Theksoi se ka situatë në të cilën ka metoda të cilat punohen në institucionin shëndetësor, por mjeku konkret nuk e ka zbatuar dhe është dërguar për edukim jashtë vendit me qëllim që edhe ai ta zbatojë këtë metodë.
Theksoi  disa shembuj  për metoda të reja të vendosura në institucionet shëndetësore publike: Në institutin e sëmundjeve të mushkërive të bardha te fëmijët Kozle – janë vendosur dy metoda të reja të cilat për herë të parë zbatohen në spital, ndërsa ato janë pulmoalergologjia e fëmijëve dhe polisomnografia, për të cilat mjekët janë edukuar në spitalin me renome për fëmijë Bambino Xhezu në Romë.
“Në Klinikën universitare për kardiokirurgji shtetërore – janë vendosur  më shumë metoda dhe procedura të reja, mes të cilave: bajpas aortokoronar pa përdorimin e makinës për qarkullim ekstrakorporal (në zemër e cila punon, beating heart), revaskularizim total i arterieve të enëve të gjakut koronare, operacionet kardiokirurgjike invazive minimale, operacionet invazive minimale urgjente te pacientët me endokarditis, operacione për rikonstruksion të valvulës mitrale”, tha Todorov.
Për këto metoda potencon mjekët janë edukuar në spitalin Triemli në Cyrih, Zvicër, si dhe në Institutin për sëmundje kardiovaskulare në Dedinje.
Theksoi se në spitalin e përgjithshëm në Strumicë janë vendosur tre metoda të reja për spitalin (artroskopi, kolonoskopi dhe protezë subtotale në kërdhokull). Për artroskopinë është realizuar edukim i mjekëve në spitalin LIV në Stamboll, Turqi, ndërsa për protezë subtotale edukimi është realizuar në spitalin Tokuda në Sofje, ndërsa për kolonoskopinë edukimi është realizuar në Qendrën klinike në Vojvodinë.
Është vendosur edhe metodë e re, theksoi ministri, për mjekun, i cili është në spital, por ai nuk e ka ushtruar, ndërsa ajo është holecistektomia laparoskopike trajnimi i të cilës është realizuar në Qendrën klinike në Lubljanë.
“Në Klinikën universitare për gjinekologji dhe obstretikë janë vendosur tri metoda të reja mes të cilave edhe eho në zemër te të sapolindurit (eho kardiografi fetale përparuese) për të cilën tre mjekë nga klinika janë edukuar  në King’s College me renome në Londër. Mjekët e kësaj klinike janë edukuar në fushën e anestezisë obstretike, ndërsa ajo për shfrytëzimin e lou-flou anestezisë përkatësisht anestezia me rrjedhë të ulët të gazrave, për çka është realizuar edukimi në spitalin Florens Najtingel në Stamboll”, tha Todorov.
Metoda e tretë për të cilën janë edukuar mjekët e kësaj klinike, tregoi, është onkokirurgjia gjinekologjike, pas edukimit të zbatuar në Qendrën klinike universitare Hamburg – Ependorf, ndërsa një mjek është edukuar edhe në An Arbour – Universitet në Miçigen, SHBA.
“Klinika për sëmundje kirurgjike “Shën Naum i Ohrit” – e cila ka vendosur tri metoda të reja – kolonoskopi/gastroskopi (për të cilën është realizuar edukimi në Klinikën në Nirnberg), fat grafting metodë (për të cilën është realizuar edukimi në “Ronald Regan” qendrën mjekësore në Los Anxhelos). Një mjeke nga Klinika për radioterapi dhe onkologji, pas edukimit të përfunduar në qendrën mjekësore me renome në SHBA, Memorial Hermann – Texas Medical Center, në Klinikë ka vendosur metodë të re për trajtim të tumoreve në traktin digestiv dhe pankreas”, potencoi Todorov.
Theksoi se një mjeke e Klinikës universitare për sëmundje të fëmijëve ka përfunduar edukimin në fushën e neurologjisë së fëmijëve dhe neurorehabilitimit në Itali,  në spitalin me renome pediatrike Bambino Xhezu,  dhe ka vendosur lloj të ri të testeve  për distrofi muskulare, fibrozë cistike dhe sëmundje neuromuskulare në këtë klinikë, ndërsa një mjek i Klinikës universitare për sëmundje infektuese dhe gjendje febrile ka vendosur metodë të re fibroskanit, pas përfundimit të edukimit në Qendrën klinike, Beograd.
“Bëhet fjalë për një metodë të cilën për herë të parë e zbaton mjeku, ndërsa njëherit për herë të parë zbatohet në suaza të kësaj klinike, me çka rritet qasja e shërbimeve shëndetësore. Edhe një shembull është metoda e re e vendosur në Klinikën për nefrologji, e cila përbëhet nga krijimi i hartës të enëve të gjakut për të krijuar qasje të gjakut në fushën e nefrologjisë, me ç’ka është siguruar edhe dopler me ngjyrë për zbatim të vazhdueshëm të metodës. Përndryshe në Klinikë kjo metodë është vendosur pas edukimit të zbatuar të një mjeku në Qendrën klinike në Lubjanë” tha Todorov.
Janë zbatuar edhe edukime në fushën e kardiologjisë intervente, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zgjerimin dhe përforcimin e rrjetit për trajtimin e infarktit akut të zemrës, trajnim e nga fusha e mamografisë dhe kor biopsi të gjinjve, kirurgji plastike të gjinjve etj.
Sqaroi se në Spitalin Universitar në Helsiniki janë dakorduar edukime nga fusha e neurokirurgjisë spinale, me kohëzgjatje prej një deri tre muaj, të cilat do të fillojnë gjatë marsit, ndërsa në vijim është komunikimi edhe me disa spitale dhe klinika në Berlin, Lajpcig etj.
Ministria e Shëndetësisë, theksoi, formoi edhe Komision për kontrollin e njohurive të marra nga edukimet, e cila përbëhet prej profesorëve të shquar akademik, ndërsa në nivel mujor mbahen disa takime të komisionit ku bisedohet edhe më hollësisht analizohen njohuritë dhe aftësitë e fituara nga edukimet jashtë vendit.
Share:

0 komente:

Blog Archive

Recent Posts

Unordered List


Pages

Theme Support